Lotaria Kombetare

English (UK)
A+ A A-

Rregullat e Lojës

 

 

 

KUSHTET E PËRGJITHSHME
për lojën Loto “6 nga 39”

 

Kushtet e përgjithshme të paraqitura më poshtë (“Kushtet”) janë të vlefshme për të gjitha kontratat e lojërave të fatit të lidhura mes Kompanisë dhe një Lojtari nga data [vendos datën].

Këto Kushte të Loto “6 nga 39” vlejnë si për pjesëmarrjen nëpërmjet Pikave të Autorizuara të Shitjes me pajisje online, ashtu edhe për pjesëmarrjen nëpërmjet mediave të reja (Internetit). 


Përkufizime

Përjashto rastet kur konteksti e shpreh qartësisht ndryshe, fjalët e mëposhtme do të kenë kuptimin e mëposhtëm kur përdoren në këto Kushte:

"Fondi Rezervë" – është fondi i krijuar në përputhje me pikën e.5.1 dhe sipas rastit mund të rritet në përputhje me h.14;

"Kompania" - operatori i liçencuar i Lotarisë Kombëtare, Lotaria Kombëtare sh.p.k., me seli qendrore në Tiranë, Shqipëri dhe adresë të aktivitetit në Rr. "Dritan Hoxha", Nr. 39-1, regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit me NUIS L22119005R;

"Sistem Kompjuterik" – Pajisjet teknike të specifikuara nga Kompania për pjesëmarrjen në Loton "6 nga 39";

"Short" - Proçesi që kulmon në përzgjedhjen e rastësishme të grupit të numrave fitues për Loto "6 nga 39".

"Ligji Shqiptar për Lojërat e Fatit" - Ligji Nr. 10033, datë 11 Dhjetor 2008, i ndryshuar herë pas here;

"Koha e Mbylljes  së Pranimeve" – në lidhje me një Short, nënkupton kohën që është përcaktuar dhe publikuar nga Kompania si koha pas së cilës nuk mund të kryhen më parashikime lidhur me këtë Short.   

"Mbajtës" - është personi që ka marrë zotërimin fizik të një Biletë.

"Loto “6 nga 39”’ ose “Loja” - është një lojë e organizuar nga Kompania, rezultatet e të cilës përcaktohen nëpërmjet një Shorti.  

“Personi” - është një anëtar i publikut i cili mund të jetë i interesuar për pjesëmarrje në Lojë.

"Lojtar" - është një anëtar i publikut që blen apo merr në zotërim një Biletë, të dhënat e së cilës janë konfirmuar nga Sistemi Kompjuterik i Kompanisë nëpërmjet printimit të kësaj Bilete. 

“Pikë Shitje” ose "Agjent i Autorizuar" -  do të nënkuptojë një Pikë Shitje, që shfaqet si e tillë në listën e Pikave të Shitjes të publikuar nga Kompania në www.lotaria.al dhe është e pajisur me aparaturat teknike që bëjnë pjesë në Sistemin Kompjuterik dhe kanë kapacitet për transmetimin e menjëhershëm të të dhënave sipas specifikimeve të Kompanisë. 

"Biletë" - është një biletë, e cila është printuar nga Sistemi Kompjuterik, të dhënat e së cilës janë konfirmuar nga Sistemi Kompjuterik dhe që përmban mes të tjerash, elementet e mëposhtëm të vijueshëm në formë qartësisht të lexueshme: (i) Parashikimin(et) duke përfshirë të gjithë numrat përkatës të përzgjedhur; (ii) datën e Shortit(eve) për të cilin është lëshuar; (iii) kodin; (iv) numrin e Biletës.

"Parashikim" – një grup numrash në një Fushë, të cilat tregohen në Biletë si PRSH (përdorur si shkurtim i fjalës "Parashikim") dhe që luhen si një kombinim i vetëm.

“Skeda” – është një fletë pune që lehtëson pjesëmarrjen në Lojë; ajo nuk përfaqëson një Biletë. 

"Parashikimi i Shpejtë nga Sistemi"- ka kuptimin e dhënë në pikën c.3.2 

"Pjesëmarrja" dhe fjalë të tjera që rrjedhin prej saj lidhur me Loto "6 nga 39" i referohen marrjes në zotërim të një Bilete. 

“Terminal” – pjesë e Sistemit Kompjuterik; pajisja teknike e vendosur në një Pikë Shitje që u mundëson Personave të marrin pjesë në Lojë dhe që printon Biletat për Lojtarët;

"Vlera e Luajtur"- ka kuptimin e dhënë në pikën e.2.1; 

"Vlera për t’u Fituar"- ka kuptimin e përcaktuar në pikën e.4.1;

“Bonus shtesë”- ka kuptimin e bonusit monetar dhe/ose jo monetar që u jepet lojëtareve të cilët rezultojnë fitues të një ose me shumë bilete të përzgjedhur në mënyrë rastësore nga hedhja e shortit special, përvec çmimit/ve normale. 

“Fondi i Çmimit I” dhe "Fondi i Çmimit II" – kanë kuptimin e dhënë në pikën e.5.2.

”Forcë Madhore“ – nënkupton çdo ngjarje ose pasojë që nuk mund të parashikohet ose kontrollohet në mënyrë të arsyeshme dhe që është shkaktuar pa fajin apo pakujdesinë e palës mos vepruese. Sikurse është përdorur këtu, Forcë Madhore nënkupton aktet e luftës, terrorizmit, veprimet e elementeve (p.sh. zjarri, përmbytja, stuhia, etj.), ndërprerja dhe kufizimi i energjisë elektrike, dëmi material, trazira civile, ose çdo shkaktar tjetër që qëndron përtej kontrollit të një pale të prekur dhe që, nëpërmjet ushtrimit të kujdesit të arsyeshëm, Pala në fjalë e ka të pamundur ta parandalojë ose parashikojë dhe ta shmangë nëpërmjet planifikimit paraprak.

Në lidhje me një Skedë, termi "Fushë" i referohet një zone qartësisht të kufizuar brenda një skede që përmban kutitë me numrat nga 1 deri në 39. 

 

a. Baza ligjore 

a.1 Duke marrë pjesë në Loto “6 nga 39”, Lojtarët pranojnë Kushtet e mëposhtme dhe zotohen t'u përmbahen atyre. Këto Kushte, dhe të dhënat, kushtet dhe shpjegimet që shfaqen në Bileta, përbëjnë marrëveshjen e plotë dhe të drejtat e detyrimet kontraktore të Kompanisë ndaj Lojtarëve, në lidhje me çdo lojë Loto "6 nga 39".

a.2 Zhvillimi i Loto “6 nga 39” bazohet në Legjislacionin Shqiptar për Lojërat e Fatit. 

a.3 Kompania gëzon të drejtën të organizojë lojën Loto “6 nga 39” në bazë të liçencës të dhënë nga Republika e Shqipërisë, e cila vepron nëpërmjet Ministrisë së Financave për kohëzgjatjen e kësaj liçence. 

b. Përshkrimi i Loto "6 nga 39"

b.1 Qëllimi i Loto "6 nga 39" është parashikimi i sa më shumë, nga gjashtë numrat fitues (nga një grup numrash që variojnë nga 1 deri në 39), të cilët përzgjidhen njëri pas tjetrit në një Short. Fondi i Çmimit shpërndahet ndërmjet disa kategorish çmimesh, në përputhje me rregullat e përcaktuara në pikën e këtushme. Të gjithë çmimet brenda së njëjtës kategori çmimi kanë të njëjtën vlerë.

c. Kushtet për pjesëmarrje në Loto "6 nga 39"

c.1 Vetëm media që ka marrë lejen nga Kompania, si dhe Skedat të nxjerra dhe të vëna në dispozicion nga Kompania, apo Parashikimet e bëra duke përdorur ”Parashikimin e Shpejtë nga Sistemi”, mund të përdoren për pjesëmarrje në Lojë dhe dorëzimin e Parashikimeve. 

c.2 Kompania mund të përfundojë përdorimin e medias ekzistuese për pjesëmarrje në lojë, ose të prezantojë dhe të përdorë media të reja teknike të llojeve të ndryshme për të organizuar pjesëmarrjen në Lojë.

c.3 Pjesëmarrja në Lojë

c.3.1 Skedat për Loto 

c.3.1.1 Skeda për Loto përmban 12 fusha ku secila prej tyre përmban kuti me numrat nga 1 në 39, në të cilat do të regjistrohen gjashtë parashikimet (duke shënuar numrat përkatës). Kjo i mundëson një personi pjesëmarrjen në një ose deri në pesë Shorte të njëpasnjëshëm që, sipas pikës c.8.2 të mëposhtme, vijnë menjëherë pas dorëzimit të Skedës.

c.3.1.2 Skedat vendosen në dispozicion nga Kompania me qëllimin për të lehtësuar Pjesëmarrjen, por thjesht plotësimi dhe dorëzimi i një Skede nuk do të rezultojë në lidhjen e një kontrate mes Kompanisë dhe një Personi. Një Person që dëshiron të marrë pjesë në Loto "6 nga 39" duhet të provojë të parashikojë dhe të shënojë qartë secilin prej Parashikimeve të tij (çdo Parashikim të ketë gjashtë numra të përzgjedhur sipas dëshirës në Skedë), brenda një Fushe. Personat mund të tregojnë nëse dëshirojnë të marrin pjesë me një Parashikim (ose sipas rastit, me disa Parashikime) në një Short, ose deri në pesë Shorte të njëpasnjëshëm. Numrat e përzgjedhur duhet të shënohen me një kryq (X), i cili duhet vendosur brenda kutisë përkatëse.

c.3.1.3 Shënimi në një Skedë duhet të kryhet vetëm me stilolaps blu ose të zi. Shënimet me ngjyra të tjera (veçanërisht me të kuqe ose jeshile) nuk lejohen pasi nuk mund të skanohen saktë nga pajisja teknike e përdorur. 

c.3.1.4 Vetëm shënimet qartësisht të lexueshme janë të vlefshme. Në rastin e një futje të gabuar të bërë kur është përdorur një Skedë, Skeda, bazuar vetëm në gjykimin e kompanisë ose agjentit të saj të autorizuar, mund t’i kthehet personit për korrigjim manual ose mund të korrigjohet nëpërmjet pajisjeve teknike të Pikës së Shitjes në përputhje me dëshirat e personit.  

c.3.1.5 Një Person duhet të tregojë në një mënyrë qartësisht të dallueshme të gjitha shënimet në kutitë përkatëse të Skedës dhe shënimet nuk duhet të shfaqin asnjë shenjë korrigjimi (p.sh. shenja fshirje, korrigjime dhe/ose shkrime mbi shënimet ekzistuese). 

c.3.1.6 Nëse një Person nuk ka kryer një Parashikim në secilën prej Fushave, apo nëse Parashikimet janë bërë në fushat e treguara, të cilat nuk pasojnë njëra-tjetrën, për shembull, nëse jenë shënuar me Parashikimet e propozuara vetëm Fushat 1, 3, 5, etj., atëherë Parashikimet e pashënuara mes tyre (në këtë rast 2, 4, etj.) nuk do të hidhen në Sistemin Kompjuterik, dhe në këtë mënyrë ato nuk do të luhen.  

Gjithashtu Parashikimet nuk do të vlejnë si të luajtura nëse një Person ka bërë më pak se tre shenja për Fushë në Skedë. 

c.3.2 Parashikimi i Shpejtë nga Sistemi 

c.3.2.1 Në vend të përdorimit të një Skede, një Person mund të luajë edhe Parashikime të Shpejta nga Sistemi. Në rastin e një Parashikimi të Shpejtë nga Sistemi, Terminali do të përzgjedhë gjashtë numra për Parashikimin Loto. Pjesëmarrja konfirmohet duke printuar një Biletë. Korrigjimi i Pjesëmarrjes me anën e Parashikimit të Shpejtë nga Sistemi nuk është mundur.

c.4 Pjesëmarrja në një ose disa Shorte të njëpasnjëshëm 

c.4.1 Personat mund të ofrojnë të marrin pjesë deri në pesë Shorte të njëpasnjëshëm duke e treguar këtë në vendin përkatës të Skedave.  

c.4.2 Nëse një Person nuk e tregon në Skedë numrin e Shorteve që ai/ajo dëshiron të marrë pjesë, kjo do të konsiderohet si një ofertë për të lidhur një kontratë për të luajtur vetëm në një Short dhe kontrata e lojës do të zbatohet vetëm për Shortin që zhvillohet menjëherë mbas dorëzimit të Skedës.

c.5 Kualifikimi i Pjesëmarrjes dhe Kontrata e Lojës

c.5.1 Në çdo rast, çmimi i përcaktuar duhet paguar për çdo parashikim dhe bileta duhet të jetë printuar duke përmbajtur çdo parashikim dhe më pas të jetë dorëzuar, në mënyrë që të lidhet kontrata e lojës Loto "6 nga 39".

c.5.2 Cilido që dorëzon një ose disa Parashikime në përputhje me këto Kushte, paguan çmimin për çdo Parashikim, (përjashto rastet kur Personave i vendosen në dispozicion nga Kompania Parashikime falas), dhe nëse të dhënat i janë transmetuar Kompanisë nga Pika e Shitjes dhe nëpërmjet medias përkatëse të parashikuar të transmetimit të të dhënave, dhe Lojtari merr një Biletë për ta konfirmuar këtë, kualifikohet për të marrë pjesë në Short. 

c.5.3 Kontrata e lojës, mes Lojtarit dhe Kompanisë, konsiderohet e vlefshme nëse të dhënat e Skedës ose Parashikimit të Shpejtë nga Sistemi, të transferuar nëpërmjet Sistemit Kompjuterik, janë marrë nga Kompania, janë ruajtur në mënyrën e duhur dhe të analizueshme, dhe janë konfirmuar duke printuar Biletën(tat) dhe i dorëzohet(en) Lojtarit. Nëse një nga këto kërkesa nuk është plotësuar, kontrata e lojës nuk do të lidhet. 

c.5.4 Pjesëmarrja në lojë kryhet në mënyrë anonime. 

c.5.5 Mosha minimale për Pjesëmarrje është 18 vjeç.

c.6 Pikat e shitjes

c.6.1 Kompania shet Biletat nëpërmjet Pikave të Shitjes të autorizuara. 

c.6.2 Transmetimi i të dhënave të Skedave dhe të dhënave të Parashikimit të Shpejtë nga Sistemi si dhe përcjellja e vlerës së luajtur nga Lojtari për tek Kompania kryhet ekskluzivisht nëpërmjet Pikave të Shitjes. 

c.6.3 Pjesëmarrja në Shortin përkatës organizohet nga Pikat e Shitjes. As Pika e Shitjes dhe as Kompania nuk do të konsiderohen të kenë asnjë detyrim që buron nga kontrata apo nga një shkelje, ndaj një Lojtari dhe që ka të bëjë me parashikimin e numrave që duhet të zgjidhen në një Parashikim si numrat fitues, ose numrat fitues të mundshëm, edhe në rastin kur Lojtari i ka kërkuar Pikës së Shitjes plotësimin e Skedës, ose ka dorëzuar Parashikime nëpërmjet pajisjeve teknike (Parashikim të Shpejtë nga Sistemi).

c.6.4 Pikat e Shitjes nuk janë të detyruara të verifikojnë saktësinë e përmbajtjes apo të plotësimit të një Skede. Megjithatë, ata janë përgjegjës ndaj Kompanisë për pagesën e Vlerës së Luajtur që rezulton nga Biletat, të cilat janë printuar. 

c.7 Vlerat e Luajtura dhe Regjistrimi 

c.7.1 Pagesa e fondeve për Vlerat përkatëse të luajtura i konfirmohet Lojtarit nga Pika e Shitjes nëpërmjet lëshimit të Biletës që përmban kodin.

c.7.2 Lëshimi dhe dorëzimi i saktë i një ose disa Biletave që përmbajnë kodin, është parakusht për Pjesëmarrje dhe përpunim të mëtejshëm të të dhënave.

c.7.3 Vetë Bileta është e pajisur me një kod që përbën një element thelbësor të Biletës dhe siguron alokimin e saktë teknik të Biletës tek të dhënat e luajtura.

c.7.4 Bileta që i lëshohet Lojtarit shërben si prova e vetme e Pjesëmarrjes në Lojë dhe është parakusht për marrjen e të drejtës së fitimit të një çmimi të mundshëm.

c.8 Të dhënat e Pjesëmarrjes 

c.8.1 Të dhënat duhet të transmetohen nga Pikat e Shitjes për tek Kompania duke përdorur Sistemin Kompjuterik.

c.8.2 Të dhënat duhet t'i transmetohen Kompanisë para Kohës së Mbylljes së Pranimeve për Shortin përkatës. Të dhënat e marra nga Kompania pas Kohës përkatëse të Mbylljes së Pranimeve do të marrin pjesë në Shortin pasardhës.

c.8.3 Të dhënat që nuk janë marrë në mënyrë elektronike nga Kompania (d.m.th. të dhëna për të cilat nuk është lidhur një kontratë loje duke qenë se nuk janë marrë nga kompania) nuk do të marrin pjesë në Lojë dhe rrjedhimisht nuk do të marrin pjesë në përcaktimin e Vlerës së Luajtur.

c.8.4 Pika e Shitjes ashtu si edhe Kompania mund të refuzojnë në çdo kohë pranimin e të dhënave për arsye materiale (p.sh. duke përfshirë por pa u kufizuar në ndikimin e dukshëm të alkoolit apo substancave të jashtëligjshme, ose substancave që mund të ndikojnë në vendimmarrje).

c.9 Përgjegjësia 

c.9.1 Kompania do të jetë përgjegjëse për çdo dëm që i shkaktohet Lojtarit për faj të saj pas lidhjes së kontratës së lojës.

c.9.2 Kompania nuk merr përsipër asnjë detyrim (prandaj nuk mund të jetë përgjegjëse) lidhur me dëmet që shkaktohen nga veprimet kriminale të palëve të treta, ose në rast të një ngjarje të cilësuar si Forcë Madhore, ose që rezulton nga rrethana të tjera për të cilat Kompania nuk është përgjegjëse. 

c.9.3 Pikat e shitjes do të jenë përgjegjëse vetëm për veprime të tyre të shkaktuara me dashje dhe me faj të rëndë.

c.9.4 Përzgjedhja e modaliteteve të Pjesëmarrjes në ngjarjen përkatëse i mbetet Lojtarit. Pika e Shitjes nuk mund të jetë përgjegjëse për Pjesëmarrjen e paqëllimshme të Lojtarit në Lojë.

c.9.5 Lojtari merr përsipër të gjitha humbjet në lidhje me saktësinë e të dhënave në Skedë dhe përputhshmërinë e tyre me Biletën, si dhe për saktësinë e Biletës sa i përket përmbajtjes dhe printimit të kodit. Lojtari është i detyruar të mos pranojë një Biletë nëse i mungon kodi ose ndonjë element tjetër përbërës i përmendur këtu.

ç. Vendi i organizimit të Lojës dhe territori i shitjes së Biletave

Kompania shet bileta dhe në këtë mënyrë mundëson pjesëmarrjen në lojë nëpërmjet një rrjeti Pikash Shitjesh të autorizuara në territorin e Republikës së Shqipërisë. Çdo pjesëmarrje në lojë do të realizohet nëpërmjet Sistemit Kompjuterik.

d. Çmimi individual për Parashikim dhe/ose kombinimet e mundshme

d.1 Çmimi për një Parashikim Loto është 100 (njëqind) Lekë. 

d.2 Për pjesëmarrje në dy deri në pesë Shorte, çmimi që duhet paguar për çdo Parashikim duhet të shumëzohet me numrin e Shorteve. Në çdo rast, duhet të paguhet çmimi i përcaktuar, në mënyrë që të lidhet kontrata e lojës.  

dh. Afati i fundit për Pjesëmarrje në Lojë

dh.1 Vetëm Parashikimet që janë dorëzuar para Kohës së Mbylljes së Pranimeve të një Shorti do të marrin pjesë në atë Short.

e. Fondi i Çmimit dhe kategoritë e çmimeve 

e.1 Në bazë të këtyre Kushteve, vetëm të dhënat e marra në mënyrë elektronike nga Kompania dhe që i konfirmohen Lojtarit nëpërmjet Biletës(ave), do të marrin pjesë në Lojë dhe në këtë mënyrë, në përcaktimin e numrit të fituesve brenda çdo kategorie çmimi dhe shumave përkatëse fituese të një Shorti.

e.2 Përcaktimi i Vlerave të Luajtura

e.2.1 Vlera e Luajtur e një Shorti ("Vlera e Luajtur") përcaktohet duke shumëzuar (i) numrin e Parashikimeve të paguara në lidhje me atë Short (për të shmangur dyshimet, duke përjashtuar Parashikimet falas të shpërndara nga Kompania, sipas zgjedhjes së saj) bazuar tek të dhënat e marra nga Kompania; me (ii) çmimin për Parashikim.

e.2.4 Përcaktimi i Vlerës së Luajtur për Shortin përkatës kryhet nga Kompania pas Kohës së Mbylljes së Pranimeve.

e.3 Kategoritë e çmimeve

e.3.1 Numri i parashikimeve të sakta nga gjashtë numrat fitues në një Parashikim përcakton nivelin e kategorive të çmimeve si më poshtë: 

Kategoria 1-rë = 6 numra të saktë

Kategoria 2-të = 5 numra të saktë

Kategoria 3-të = 4 numra të saktë

Kategoria 4-t   = 3 numra të saktë

Kategoria 5-të = 2 numra të saktë

e.4 Fondi i Çmimit

e.4.1 Vlera për t’u fituar e Lotos, e cila është 50% të Vlerës së Luajtur të grumbulluar në një Short (këtu dhe më poshtë referuar si "Shuma për t’u Fituar”) plus 50 % të çmimit total të të gjitha Parashikimeve falas të dhuruara nga Kompania për këtë Short, do të shpërndahet ndërmjet kategorive të çmimeve të atij Shorti dhe "Fondit Rezervë".

e.5 Piramida e Çmimeve

e.5.1 2.6% e Vlerës për t’u Fituar do të paguhet në Fondin Rezervë. Fondi Rezervë do të përdoret (i) për të plotësuar vlerën monetare të çmimit për një ose disa kategori çmimesh të disa Shorteve të caktuara (alokimi i bonuseve); dhe/ose (ii) bonuse shtesë monetare; dhe/ose (iii) bonuse shtesë jo monetare, që do të jepen në lidhje me një Short të caktuar. Kompania duhet të përcaktojë sipas zgjedhjes së saj pjesën për të cilën do të përdoret Fondi Rezervë për ndonjë ose të gjitha qëllimet e përmendura në pikën (i), (ii) dhe (iii) më sipër në këtë paragraf.   

Pa paragjykuar paragrafin e mësipërm, Kompania mund të rrisë vlerën e çmimit të kategorisë së 1-rë me fonde nga “Fondi Rezervë” për të garantuar pagesën e shumës specifike minimale të çmimit për kategorinë e 1-rë të një Shorti specifik (garancia e pagesës totale të kategorisë). Kompania në këtë rast do të jetë në gjendje të informojë në mënyrën e duhur Lojtarët. Nëse nuk fitohet një çmim i tillë i garantuar në kategorinë e 1-rë, 76.4% e “Fondit të Çmimit II” do të shtohet në kategorinë e 1-rë të Shortit pasues në përputhje me pikën e.8, më poshtë.

e.5.2 Vlera e barabartë me Vlerën për t’u Fituar minus Fondin Rezervë (këtu dhe më poshtë referuar si “Fondi i Çmimit I”), do të shpërndahet ndërmjet pesë kategorive të çmimeve si më poshtë:

•Kategoria e 4-t dhe e 5-të: Fondi i Çmimit I, mbulon së pari pagesat e kategorive të çmimeve 4 dhe 5, që kanë vlera fituese fikse. 

Kategori 4-t:    e fiksuar në 211 lekë

Kategoria 5-të: e fiksuar në 100 lekë

•Kategoria e 1-rë, 2-të dhe e 3-të: Fondi i Çmimit I, minus pagesat për kategoritë 4 dhe 5 (këtu referuar si "Fondi i Çmimit II") formon bazën për shpërndarjen e çmimeve të kategorive nga 1 në 3. Çelësi i shpërndarjes për Fondin e Çmimit II për kategoritë 1 deri në 3 është si më poshtë:

Kategoria 1-rë:75.0% e Fondit të Çmimit II

Kategoria 2-të:12.2% e Fondit të Çmimit II

Kategoria 3-të:12.8% e Fondit të Çmimit II

e.6 Fitimi i një çmimi në një kategori çmimi përjashton mundësinë e fitimit të të njëjtit parashikim të së njëjtës Bilete në një kategori çmimi më të ulët, në të njëjtin Short.

e.7 Të gjitha çmimet fituese janë paraqitur me vlera bruto. 

e.8 Nëse nuk fitohet asnjë çmim në kategoritë 1 deri në 3, të gjitha fitimet e kategorisë përkatëse do t’i shtohen të njëjtës kategori në shortin e radhës (parimi jackpot). 

e.9 Për të shmangur fondet e pa fituara dhe që akumulohen në mënyrë të vazhdueshme për një periudhë të gjatë për shkak të parimit jackpot, Kompania rezervon të drejtën të shpërndajë paratë e çmimit për kategorinë e 1-rë dhe/ose 2-të, të çmimeve për tek kategoria përkatëse më e ulët, ku ka një fitues, nëse jackpot-i tejkalon një vlerë të caktuar. Ky parim quhet "roll-down" dhe do të publikohet në kohën e duhur, p.sh. para aplikimit të parimit roll-down.

e.10 Nëse ekzistojnë disa parashikime të sakta (të cilat gëzojnë të drejtën e një çmimi) në kategoritë 1, 2 dhe/ose 3, shuma e çmimit e kategorisë përkatëse do të shpërndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet Parashikimeve të sakta në këtë kategori. Fitimet individuale (vlerat e çmimeve) rrumbullakosen financiarisht në vlerën më të përafërt të plotë në Lekë.

e.11 Kompania mund të shtojë çmime monetare, ose jo monetare për kategori individuale çmimesh.

e.12 Përcaktimi i numrit të fituesve brenda secilës kategori çmimesh dhe shumave përkatëse të fituara të një Shorti do të kryhet në ditën pasuese të punës, mbas ditës së Shortit. Nëse ka arsye materiale për të mos bërë një gjë të tillë, Kompania mund të shtyjë përcaktimin e kategorive në ditën pasuese të punës.  

f. Skedat dhe Biletat 

f.1 Vetëm Biletat e lëshuara nëpërmjet përdorimit (i) të mediave të cilave ju është dhënë leje nga Kompania; (ii) Skedat e vëna në dispozicion nga Kompania; ose (iii) Parashikimet e Shpejta nga Sistemi mund të përdoren për Pjesëmarrjen në Lojë. 

f.2. Bileta shërben si prova e vetme e Pjesëmarrjes në Lojë dhe është kusht për pretendimin e të drejtës së fitimit të çdo çmimi të mundshëm.

g. Mënyra e hedhjes së shortit, pagesa e çmimeve

g.1 Mënyra e hedhjes së Shortit:

g.1.1 Përcaktimi i gjashtë numrave fitues realizohet me anë të zhvillimit të Shortit/eve publike, në të cilin 39 (tridhjetenëntë) gogla të etiketuara me numrat nga 1 në 39 vendosen në një makineri për hedhjen e shortit dhe gjashtë gogla përzgjidhen njëra pas tjetrës në mënyrë të rastësishme.

g.1.2 Shortet zakonisht zhvillohen ditën e Diel dhe të Enjte të çdo jave. Të gjitha ndryshimet në lidhje me datën/ditën e Shortit, nëse do të ketë, do të publikohen paraprakisht në faqen zyrtare të Kompanisë.

g.2 Publikimi i rezultateve të Shortit dhe shumat e fituara 

g.2.1 Kompania do të publikojë rezultatet e Shortit në faqen zyrtare të Kompanisë, si rregull, jo më vonë sesa 2 orë pas Shortit përkatës.  

g.2.1 Shumat e fituara të Shortit përkatës do të publikohen në faqen zyrtare të Kompanisë pas verifikimit të rezultateve nga Kompania, në përputhje me pikën e.12.

h. Mënyra dhe afati i pagesës së çmimeve

h.1 Në përputhje me këto  Kushte, vetëm të dhënat që janë marrë nga Kompania për një Short specifik para Kohës së Mbylljes së Pranimeve dhe që i janë konfirmuar Lojtarëve nëpërmjet Biletave, do të marrin pjesë në përcaktimin e Vlerës së Luajtur, përcaktimin e numrit të fituesve brenda çdo kategorie çmimesh dhe fitimet përkatëse të këtij Shorti.

h.2 E drejta e fitimit të çmimit mund të rezultojë vetëm nga Bileta. Të dhënat në Biletë duhet të korrespondojnë me të dhënat e marra nga Kompania dhe kodi mbi Biletë duhet të jetë qartësisht i lexueshëm.

h.3 Çmimet do të paguhen pasi të ketë përfunduar përcaktimi i fituesve dhe verifikimi i pagesave të çmimeve të jetë lëshuar nga kompania në përputhje me pikat e.12 dhe g.2. 

h.4 Çdo kërkesë për çmim do të jetë subjekt i paraqitjes dhe dorëzimit të Biletës. Pagesa e çdo çmimi do të shënohet në përputhje me rregullat në Sistemin Kompjuterik dhe Bileta do t'i kthehet Personit që e paraqet atë (d.m.th. Mbajtësit) nga pika ku kryhet  pagesa e çmimeve (kjo është Pika e Shitjes ose një qendër për kryerjen e pagesave të çmimeve të mëdha), pasi është paguar çmimi. Kur kryhet një pagesë që është pagesa e fundit e mundshme e çmimit(eve) për llogari të një Bilete, kjo Biletë do të vuloset me fjalët "ÇMIMI(ET) U PAGUA(N)", para se t'i kthehet Mbajtësit. 

h.5 Pagesa e çmimeve do të jetë subjekt i tatimit në burim. Prandaj, çdo ndalesë që duhet kryer për llogari të çdo takse të aplikuar, do të mbahet nga vlerat e fituara në mënyrë që t’i transferohet autoriteteve tatimore në përputhje me të gjitha ligjet në fuqi.  

h.6 Kompania në përputhje me ligjn Nr.9917, datë 19.5.2008  “Për parandalimin e pastrimit te parave dhe financimit te terrorizmit” dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, do të marrë të gjitha masat e nevojshme parandaluese. 

h.7 Çmimet deri në 15,000 (pesëmbëdhjetëmijë) Lekë për Biletat fituese të kualifikuara në përputhje me rregullat, do t'i paguhen Mbajtësit të Biletës me para në dorë në çdo Pikë Shitje. 

h.8 Çmimet e kategorive të larta që variojnë nga 15,001 (pesëmbëdhjetëmijenjë) Lekë deri në 100,000 (njëqindmijë) Lekë për Biletat fituese të kualifikuara në përputhje me rregullat, do t'i paguhen Mbajtësit të Biletës në Pika Shitje posaçërisht të përcaktuara (qendrat e pagesave të çmimeve të mëdha). 

h.9 Pavarësisht pikave të mësipërme h.7, h.8 dhe h.11, Mbajtësit e Biletave fituese të kualifikuar në përputhje me rregullat, mund të zgjedhin të kërkojnë çmimet e tyre, pavarësisht shumave të fituara, në zyrat qendrore të Kompanisë. Çmimet e kategorisë së lartë që kalojnë shumën e 100,000 (njëqindmijë) Lekëve për çdo Biletë fituese të kualifikuar në përputhje me rregullat, do të trajtohen në mënyrë ekskluzive nga zyrat qendrore të Kompanisë dhe do t’i paguhen Mbajtësit të Biletës jo më herët se një javë pasi Kompania ka marrë formularin e kërkesës për çmimin e fituar. Këto çmime të kategorisë së lartë do të transferohen në mënyrë ekskluzive në një llogari bankare të specifikuar në formularin e kërkesës për çmimin e fituar (ose çdo metodë tjetër pagese të rënë dakord mes Kompanisë dhe fituesit të çmimit të kategorisë së lartë), që duhet të plotësohet tërësisht dhe të dorëzohet nga Mbajtësi i Biletës. 

h.10 Në rast se çmimi kërkohet në zyrat qendrore të Kompanisë, formulari i kërkesës për çmimin e fituar së bashku me Biletën e bashkëlidhur, do të qëndrojë tek Kompania. Çdo tarifë transferte bankare ose postare, si dhe të gjitha tarifat e tjera ligjore të përcaktuara apo kostot që shkaktohen në këtë kontekst, nëse do të ketë, do të paguhen nga marrësi.

h.11 Disa çmime në lidhje me 2 deri në 5 shorte, që së bashku kapin shumat nga 15,001 (pesëmbëdhjetëmijenjë) Lekë deri në 100,000 (njëqindmijë) Lekë do të paguhen nga Pikat e Shitjes të përcaktuara nga Kompania (qendrat e pagesave të çmimeve të mëdha). Çdo fitim i tillë që kalon vlerën prej 100,000 (njëqindmijë) Lekësh, do të paguhet në mënyrë ekskluzive nga zyrat qendrore të Kompanisë në përputhje me pikën  h.8.

h.12 Nëse një Biletë fituese, e cila i është dorëzuar Kompanisë së bashku me formularin e kërkesës për çmimin e fituar përfshin gjithashtu një/disa Parashikime në lidhje me Shorte që do të zhvillohen në të ardhmen, Bileta do të mbahet në dosje nga Kompania derisa të zhvillohen të gjitha Shortet në të cilat merr pjesë kjo Biletë. Nëse kjo Biletë është Biletë fituese në çdo Short tjetër (që janë pas datës së dorëzimit të kësaj Bilete tek Kompania), shuma(t) përkatëse të fituara të këtij/këtyre Shorteve të tjerë do të paguhet në llogarinë bankare të deklaruar në formularin e kërkesës për çmimin e fituar, të dorëzuar më parë në Kompani. Çdo tarifë transferte bankare ose postare, si dhe të gjitha tarifat e tjera ligjore të përcaktuara apo kosto që shkaktohen në këtë kontekst, nëse do të ketë, do të paguhen nga marrësi.

h.13 Të gjitha pagesat për fituesit do të kenë efekt reduktimi detyrimesh për Kompaninë. 

h.14 Mbajtësit e Biletës mund të pretendojnë çmimin(et) e tyre deri në 90 (nëntëdhjetë) ditë të vijueshme nga dita pas datës përkatëse të Shortit. Pas përfundimit të këtij afati, çdo e drejtë e mundshme për tërheqjen e çmimit do të skadojë.  Çdo çmim që nuk është kërkuar brenda periudhës 90 ditore të përshkruar më sipër, do të transferohet në Fondin Rezervë.  

h.15 Nëse fitohen disa çmime për një kontratë loje, shuma e grumbulluar e çmimeve do të merret si bazë për metodën e pagesës.

h.16 Mbajtësi i një Biletë nuk do të ketë të drejtën e marrjes së çmimit(eve) nëse (a) Mbajtësi nuk ka mbushur ende moshën 18 vjeç, ose nuk mund të vërtetojë se ai ka mbushur 18 vjeç, (b) Bileta është falsifikuar me ndonjë mënyrë, apo është korruptuar, ose (c) kodi në Biletë është i palexueshëm. Nëse një Mbajtës i një Bilete beson se Pika e Shitjes i ka refuzuar atij/asaj Çmimin për shkak të shkeljes së këtyre Kushteve, Mbajtësi i Biletës duhet të kërkojë çmimin tek Zyrat Qendrore duke plotësuar formularin e rëndësishëm të kërkesës për çmimin e fituar dhe duke e dorëzuar atë tek Kompania së bashku me Biletën.    

h.17 Nuk ekziston asnjë detyrim për Pikat e Shitjes ose për Kompaninë që të kontrollojë të drejtën e Mbajtësit të Biletës.

i. Publikimi i këtyre Kushteve

i.1 Këto Kushte mund të konsultohen në çdo Pikë Shitje, pas kërkesës, dhe janë të publikuara edhe në faqen zyrtare të kompanisë 

j. Tërheqja

j.1 Tërheqja nga kontrata e lojës përjashtohet.

 

 

 

Kontrollo Biletën

Shkruani Nr. e biletës:

VENDNDODHJET TONA

all rights reserved © 2014 Lotaria Kombëtare by austrian lotteries